Nafta zgjeron fitimet – OPEC mund të ulë prodhimin me 1.4 mln fuçi në ditë
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, por megjithatë pritet të publikojnë humbje për të gjashtën javë me radhë. Çmimet po mbështetet nga pritshmëritë se OPEC do të vendosë të ulë prodhimin në takimin e 6 dhjetorit, për shkak të mbifurnizimit të tregut. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57 dollarë për fuçi.
Pritshmëritë janë të larta se, OPEC do të reagojë duke ulur prodhimin për të shmangur një skenar të ngjashëm me atë të vitit 2014, kur çmimet ranë poshtë 30 dollarëve për fuçi. Lideri de facto i OPEC, Arabia Saudite, dëshiron një ulje të prodhimit me 1.4 milionë fuçi në ditë, nga rreth 1.5 milionë fuçi që përllogaritet mbifurnizimi i tregut global. Referuar të dhënave të publikuara nga Administrata për Infformimin mbi Energjinë, prodhimi në SHBA u rrit në një rekord të ri, gjatë javës së kaluar, prej 11.7 milionë fuçi në ditë.
Gjithashtu, edhe rezervat e naftës u rritën në nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit. Tashmë, analistët i kanë hedhur poshtë parashikimet e mëparshme, pasi për vitin 2019, parashikonin që çmimet të rriteshin deri në 95 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.