Deklarimi i të ardhurave personale – Tatimet njoftojnë ata që duhet të rimbursohen

Rreth 7600 persona kanë deklaruar të ardhurat personale pranë drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin e kaluar. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ky institucion ju bën më dije të gjithë personave, të cilët kanë dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave të vitit kalendarik 2016, se deri në fund të muajit shtator mund të përfitojnë rimbursimin nga skema e shpenzimeve të zbritshme.
“Nëse nga plotësimi i deklaratës ka rezultuar që individi tatimpagues ka një tepricë kreditore si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, si dhe kanë paraqitur pranë drejtorisë rajonale tatimore të juridiksionit, jo më vonë se 30 ditë nga data e deklarimit, kërkesën për kthimin e shumave paguar tepër, brenda datës 30 shtator të vitit 2017, mundësohet kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Sipas tatimeve, individi tatimpagues, duhet të ketë dorëzuar njëkohësisht edhe gjithë dokumentacionin justifikues të të ardhurave të përfituara dhe të shpenzimeve të kryera si dhe numrin e llogarisë bankare personale në të cilën do të bëhet rimbursimi i tatimit të paguar tepër.
Ndërkohë sqarohet, se përgjegjësia për saktësinë e numrit të llogarisë bankare është e individit deklarues. Rimbursimi bëhet vetëm pasi, drejtoria rajonale tatimore të ketë vërtetuar saktësinë e të dhënave dhe nga verifikimi i tyre del se informacioni i dhënë në deklaratë është i saktë, atëherë procedon me urdhër rimbursimi të shumës së tatimeve të paguara tepër, në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Por pas interesimit të TV SCAN, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, se sa është numri i përfituesve, sqarohet se janë në një nivel të papërfillshëm.
Kështu mund të themi se jemi ende larg kulturës europiane dhe botërore për deklarimin e çdo të ardhure personale, nga e cila dhe mund të përfitojmë më pas.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.