Dita e Tokës, Klosi: Tolerancë zero ndaj të gjithë atyre që shkelin lejet mjedisore

“Zero tolerancë për të gjitha ata që kryejnë krime mjedisore”, deklaroi ministri i Mjedisit Blendi Klosi nga Kepi i Rodonit, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ku me 500 punonjësit e institucionit që ai drejton pastruan hapësirat e ndotura të kësaj zone turistike.
“Sot jemi në plazhet e Shqipërisë për të dëshmuar edhe fillimin e sezonit turistik i cili siç e kemi paralajmëruar do të jetë shumë më ndryshe nga pikëpamja e vizitorëve, shumë më ndryshe nga numri i turistëve dhe shumë më tepër turistë priten këtë vit por, po ashtu mekanizmat e institucioneve ligjzbatuese përsa i përket zbatimit të ligjit dhe respektimit të kritereve mjedisore do të jenë të patolerueshme. Nga kjo ditë, nga data 22 prill që është edhe Dita e Tokës ne vazhdojmë bëjmë thirrje që të gjithë ata që bëjnë krime mjedisore, dhe nuk zbatojnë lejet mjedisore që jo vetëm Inspektorati, por çdo institucion ligjzbatues, institucionet e rendit ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e Turizmit dhe Mjedisit do të jenë shumë aktivë, do të jenë shumë të rreptë dhe tolerimi do të jetë zero. Duhet të kuptojmë që edhe një shishe e hedhur në tokë, edhe një vendgrumbullim në një fshat sado i vogël ai qoftë, ka pasqyrimin e tij në situatën bregdetare të Shqipërisë, prandaj në kuadër të fillimit të sezonit turistik nuk mund ta tolerojmë këtë situatë të papranueshme për shumë e shumë turistë që vizitojnë vendin tonë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.