Drafti për ekspertin fiskal – Braçe: Mungon propozuesi, do kërkoj tërheqjen e tij

Hartimi i një drafti që synon rregullimin e këshillimin për sektorin fiskal duket se ka futur “në sherr” jo vetëm biznesin dhe shoqatat, por edhe vetë ligjvënësit.
Drafti ligjor për ekspertin fiskal, i depozituar në Kuvend nga deputeti i LSI, Gjovalin Kadeli, mund të tërhiqet mbrapsht nga procedurat e diskutimit në komisionet parlamentare.
Komisioni i Ekonomisë nuk e ka zhvilluar seancën dëgjimore të planifikuar për të dëgjuar grupet e interesit dhe shkak është bërë mungesa e Kadelit në komision.
Ndërkohë, Komisioni i Ekonomisë nuk ka diskutuar as projektligjet e tjera të planifikuara, pasi nuk kishte kuorumin e nevojshëm.
“Nuk kanë ardhur propozuesit. Nuk mund të vazhdojmë më në këtë mënyrë. Ose të paraqiten në Komision ose do i kërkoj kryetarit të parlamentit të tërheqë draftin. Propozuesi ose të vijë ose të tërheqë draftin. Një gjë mund të them sot: Unë nuk pranoj asnjë presion“, tha Braçe.
Në Komisionin e Ekonomisë vetëm pak ditë më parë kundër këtij drafti kanë mbërritur letra zyrtare nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës dhe ajo Amerikane për mos miratim të tij.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.