Draghi lë “Morgan Stanley”, djali i kryebankierit të Eurozonës në një fond mbrojtës

Tregtari i produkteve derivative Giacomo Draghi ka lënë detyrën e tij te Morgan Stanley në Londër dhe do t’i bashkohet fondit mbrojtës LMR Partners.
Sipas autoritetit të mbikëqyrjes në Britani, FCA, djali i Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi ka punuar për një periudhë 13 vjeçare te Morgan Stanley. Ai do t’i bashkohet fondit mbrojtës më vonë gjatë vitit, tregojnë burimet.
Giacomo Draghi ka tregtuar produkte derivate të denominuara në valutë, përfshirë euro dhe frangën zvicerane. Ndër këto produkte përfshihet këmbimi i normave të interesit, që lejon shkëmbimin e pagesave të ardhshme të interesit mes dy palëve.
LMR është një fond mbrojtës prej 2.5 miliardë dollarësh me seli në Londër dhe Hong Kong, që është themeluar nga ish-tregtarë të bankës zvicerane UBS. Ky fond ka pasur një normë kthimi prej 16% në vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e Bloomberg.
Mario Draghi, Presidenti i Bankës Qendrore Europiane që prej vitit 2011, ka ulur normat e interesit dhe ndërmarrë një program të lehtësimit sasior prej 2.3 trilionë euro për të nxitur inflacionin dhe rritjen ekonomike në Eurozonë. Gjatë vitit të kaluar, presidenti tha në një konferencë se puna e djalit të tij nuk përbën një konflikt interesi.
Klevis Llaha/ RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.