Ekonomia e varur nga “IHD”, FMN: Kujdes! Kërcënim për stabilitetin makroekonomik

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar së fundmi një studim me titull: Luhatshmëria e lëvizjes së kapitalit në tregjet në zhvillim. Një ndër vendet e marra në analizë është edhe Shqipëria.
Ndër fqinjët, Fondi Monetar Ndërkombëtar merr në analizë Maqedoninë dhe Serbinë, ndërkohë që për rajonin në tërësi, shohim të analizuara edhe Rumaninë apo Bullgarinë.
Ky grafik tregon peshën e investimeve të huaja direkte në Prodhimin e Brendshëm Bruto të një vendi. Shqipëria rezulton bindshëm mbi fqinjët, por edhe bindshëm mbi vende të tjera, si Rusia apo Meksika.
Në Shqipëri investimet e huaja direkte janë sa 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në Maqedoni janë të barabarta me rreth 0.1 deri në 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në Serbi norma ngjitet në rreth 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mesatarja e tregjeve në zhvillim të marra në analizë fiksohet në 0.79% të GDP-së.
Fakti që Shqipëria qëndron mbi fqinjët dhe në pozita mjaft të favorshëm sa i përket investimeve të huaja direkte, jo domosdoshmërisht është diçka pozitive.
Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar e vë theksin te luhatshmëria e lartë e investimeve të huaja direkte, sidomos në vendet në zhvillim. Siç dihet, investimet e huaja direkte janë edhe lokomotiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë ndër vite, dhe shpeshherë janë përcaktuese për normën e rritjes ekonomike.
Rasti konkret është viti aktual dhe ai i ardhshëm, ku investimet e huaja falë gazsjellësit transadriatik përbëjnë shtysën kryesore të rritjes ekonomike të vendit në mbi 3%. Por duke qënë se janë të luhatshme, investimet e huaja direkte nuk mund të jenë një burim i rritjes së qendrueshme ekonomike.
Në vlerësimin e fundit të borxhit sovran të Shqipërisë, agjencia e vlerësimit Standard and Poor`s nënvizonte se, investimet e huaja direkte, aktualisht në kulm, kryesisht falë TAP, janë të destinuara të bien gjatë viteve në vijim.
Fondi monetar ndërkombëtar ndërkohë, në studimin e fundit nënvizon se, luhtashmëria në lëvizjes e kapitalit, është mjaft e dëmshme për stabilitetin makroekonomik dhe financiar dhe se kjo është një ndër sfidat kyçe të politikbërjes.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.