Eksporti i punës – Arrin në 296 milionë euro për vitin 2016
Puna me fason i solli ekonomisë shqiptare 296 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave për porositës të huaj gjatë vitit 2016 u rritën me 23%. Krahu i lirë i punës i siguron Shqipërisë të ardhura që shkojnë afërsisht në vlerën e 3% të prodhimit të brendshëm bruto.
Ende në vitin 2016, puna e lirë ishte avantazhi kryesor konkurrues i ekonomisë shqiptare në eksporte. Ndonëse eksportet e grupit veshje dhe këpucë kishin vlerën e rreth 770 milionë eurove, më pak se gjysma e kësaj shume ishte realisht vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare, si pagesë për përpunimin e lëndës së parë në produkt të gatshëm. Sektori i industrisë nxjerrëse ra nga froni, si rezultat i krizës së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Përkundrazi, biznesi me fason po përjeton një shkëlqim të ri dhe po i reziston mirë krizës, ashtu si edhe konkurrencës nga vendet e tjera. Shërbimet e përpunimit aktiv janë të përqendruara kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë, por, në vitet e fundit, ka një zgjerim të spektrit të produkteve që prodhohen në Shqipëri, për shkak të kostove të ulëta të krahut të punës.
Fasoneria ka hyrë edhe në industrinë përpunimit të peshkut apo edhe në prodhimin e pajisjeve dhe instrumenteve industriale, si për shembull elektromotorët. Sipas INSTAT, vetëm sektori i veshjeve dhe këpucëve ka rreth 30 mijë të punësuar, megjithatë, sipas sipërmarrësve, numri real i të punësuarve është shumë më i lartë.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.