‘Epokë e re në Gjermani’ – Partia e Merkel voton për liderin e ri
Kristian demokratët e Angela Merkel votojnë gjatë ditës së sotme për liderin e ri të partisë.
Përfaqësuesit kryesorë janë Annegret Kramp-Karrenbauer, një mbrojtëse e Merkelit dhe Friedrich Merz, një rival i Merkel i cili ka vënë në pikëpyetje garancinë kushtetuese për azil për të gjithë “të persekutuarit politikisht” dhe beson se Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, duhet të kontribuojë më shumë për Bashkimin Europian.
Merkel tha para pak muajsh se do të japë dorëheqjen si kryetare e partisë por do të mbetet kancelare, një përpjekje për të menaxhuar daljen e saj pas një sërë pengesash që prej vendimit të saj në vitin 2015 për të mbajtur kufijtë gjermanë të hapur për refugjatët që iknin nga lufta në Lindjen e Mesme. Udhëheqësi i ri i CDU do të zgjidhet nga 1,001 delegatë që votojnë në një kongres partiak në Hamburg. Fituesi ka gjasa të udhëheqë CDU në zgjedhjet e ardhshme federale të 2021 tetorit. Një sondazh tregoi se 47 për qind e anëtarëve të CDU favorizuan Kramp-Karrenbauerin krahasuar me 37 për qind për Merzin dhe 12 për qind për Ministrin e Shëndetësisë Jens Spahn.
Merz, 63 vjeç, i cili humbi me Merkel në një luftë pushteti më 2002 po kthehet në politikë pas një dekade në biznes dhe mbështetet nga anëtarët e CDU të lodhur nga politika konsensuale e Merkelit. Ai fitoi mbështetjen këtë javë nga veterani i partisë Wolfgang Schaeuble. Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier, një aleat i Merkelit, tha: “Jam i bindur se me Annegret Kramp-Karrenbauer kemi shansin më të mirë të CDU që të fitojë zgjedhjet”, duke shtuar se ajo do të ishte kandidatja më e rrezikshme për t’u përballur me Social Demokratët e qendrës së majtë dhe ekologjistët e gjelbër.
Kramp-Karrenbauer, diferencon nga Merkel për shkak të politikës sociale dhe të jashtme duke votuar në favor të kuotave për gratë në bordet e korporatave, ndryshe nga Merkel dhe duke mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë. Ajo i tha Reuters javën e kaluar se Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderojnë bllokimin e anijeve ruse mbi krizën e Ukrainës. Megjithatë, e pyetur për të ardhmen e CDU-së, Kramp-Karrenbauer thotë: “Nuk kam recetë të veçantë.” Nga ana tjetër, Merz merr qëndrime të qarta që u bëjnë thirrje anëtarëve të partive të ‘uritur’ për një parti më të qartë, pas 13 vjetësh me Merkel si kancelare. Ai dëshiron uljen e taksave, një BE më të fuqishme dhe një qasje më të fuqishme për të sfiduar të djathtën ekstreme.
Një zyrtar i lartë i CDU, duke folur në kushte anonimiteti, tha se shumë delegatë ishin të pavendosur përpara kongresit dhe mund të lëkundeshin nga mënyra se si kandidatët do të paraqiten gjatë ditës së sotme.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.