Euro, poshtë 130 lekëve – Prek nivelin më të ulët që nga prilli i vitit 2009
Monedha europiane ka prekur nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit në kursin e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, nga Banka e Shqipërisë, euro ra nën kufirin e 130 lekëve për herë të parë që nga prilli i vitit 2009.
Zhvlerësimi i euros është një tendencë pothuajse dy-vjeçare, por që ka nisur një etapë të ri në fillim të këtij viti.
Ditën e martë, euro u zhvlerësua me pothuajse një pikë dhe ra në nivelin e 129.9 lekëve. Rënia e ndjeshme gjatë kësaj dite, sipas agjentëve, ka ardhur për shkak të këmbimeve të konsiderueshme të euros në tregun valutor. Kjo ka sjellë një fluks oferte të euros në tregun valutor, me pasojë zhvlerësimin e monedhës së eurozonës.
Sipas ekspertëve, në dy vitet e fundit tregu valutor është karakterizuar nga një ofertë e lartë e euros. Shpjegimet për këtë ofertë të lartë janë të ndryshme, që nga fluksi në rritje i investimeve të huaja direkte deri tek hipotezat për një rritje të prurjeve valutore nga aktivitetet e jashtëligjshme. Sidoqoftë, zhvlerësimi i euros përgjatë një intervali kohor relativisht të gjatë tregon se faktorët që e kanë ndikuar këtë zhvlerësim duken të jenë të qëndrueshëm.
Leku vijoi të martën edhe forcimin ndaj dollarit amerikan, që zbriti në nivelin e 105.5 lekëve. Në rastin e dollarit, lëvizja e kursit reflekton kryesisht zhvlerësimin e monedhës amerikane kundrejt euros. Ky zhvlerësim përcillet në përmasa pothuajse proporcionale dhe në kursin dollar – lek.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.