Euro prek majën – Niveli më i lartë në 1 vit kundrejt dollarit, e nxiti Draghi
Monedha e përbashkët europiane ka prekur nivelin më të lartë të 1 viti kundrejt dollarit amerikan. Euro u ngjit pranë 1.1350 dollarë menjëherë pas deklarate të Mario Draghit, nivel ky që nuk ishte regjistruar asnjëherë që prej votës së britanikëve pro brexit në Qershor të vitit të kaluar.
Mario Draghi, një ditë më parë, deklaroi se, Europa ka ende nevojë për stimuj, dhe se Banka Qendrore Europian do të lëvizë me kujdes dhe gradualisht drejt normalizimit të politikave monetare, por sinjalizoi se ndërhyrja do të vijë.
Ndër të tjera, ai u shpreh me tone mjaft optimiste sa i përket rritjes ekonomike dhe inflacionit në zonën e monedhës së përbashkët. Ndërkohë që euro vijon rritjen, titujt qeveritarë të kontinentit të vjetër kanë përqafuar një trajektore rënëse.
Vetëm gjatë së Martës, euro u rrit me 1.4% kundrejt dollarit amerikan, duke prekur përkohësisht edhe nivelin e 1.1379 dollarëve.
E ndërkohë që monedha e përbashkët europiane ka prekur nivelet më të larta të një viti kundrejt dollarit amerikan dhe shportës së valutave kryesore, në tregun vendas, ajo kuotohet pranë niveleve rekord minimale, në rreth 132 lekë sipas kursit mesatar zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.