Eventi i madh i 10 shtatorit, çfarë të presim nga Apple?
Që nga 2011-ta, çdo vjeshtë, kompania Apple mban një event në Kaliforni në të cilin lançon të rejat më të fundit nga Iphone. Qëllimi është krijimi i një rryme ‘fansash’ për produktet që do të bëhen pjesë e blerjeve të fundvitit. Deri më tani, Apple ja ka dalë gjithmonë mbanë, me sukses.
Edhe pse kompani të tjera janë përpjekur të lançojnë produkte të reja, asnjëra nuk ja ka dalë të tërheqë vëmendjen e medias njësoj sikurse Apple. Për shembull, eventi i shtatorit të fundit ka kapur mbi 3 milionë shikime në kanalin YouTube. Këtë vit, eventi nuk do të jetë ndryshe nga më parë. Edhe pse Apple, së fundmi, ka folur shumë për produkte që nuk janë as ‘hardware’, si Apple Card apo Apple TV+ streaming service, eventi i së martës, 10 shtatorit, do të jetë i fokusuar tek arsyjet pse njerëzit duhet të zgjedhin Apple.
Sfida e madhe e kompanisë është prodhimi i Iphone-ëve të rinj, tabletëve Apple apo Apple Watch, si dhe Apple Mac dhe natyrën e tyre ‘revolucionare’. Përgjatë viteve të kaluar, produktet e reja kanë dalë në shitje një javë pas eventit, ashtu sikurse në po të njëjtën periudhë vjen azhornimi i ri, këtë vit iOS 13.
Por, çfarë pritet të sjellë eventi i 10 shtatorit? E para dhe e sigurta, një model i ri i iPhone. Këto telefona mund të shihen si vazhdime të iPhone XS aktual dhe iPhone XS Max, të cilat kushtojnë nga 999 deri në 1099 dollarë. Apple gjithashtu pritet të lançojë një iPhone më ‘të lirë’, me një ekran LCD me kosto më të ulët, si iPhone XR aktual, i cili aktualisht kushton 749 dollarë ose diçka më shumë.
Po ashtu, që nga 2014-ta, eventi ka pasur dhe ‘surprizat’ e Apple Watch. Edhe pse ndoshta nuk do të ndryshojë në dizajn, ‘zërat’ nga MacRumors thonë se mund të ketë shërbime ekstra, p.sh: ‘School Time’, që do të bllokojë aksesin gjatë orarit të studimeve apo qëndrimit në shkollë, mirëpo do mund të lejojë fëmijët të telefonojnë prindërit. Nga ana tjetër, sipas MacRumors, Apple do të ‘shënjestrojë’ profesionistët me MacBook Pro, që pritet të jetë, nëse do të jetë, me një ekran 16 inç.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.