Fatura e Brexit – Humbje të mëdha për Britaninë, por duhet të jetë e kënaqur

Fatura e Brexit, për Britaninë e Madhe do të jetë mjaft e kripur, madje edhe përtej pritshmërive më optimiste të para referendumit të Qershorit të 2016-ës.
Britania ra dakord të paguajë të paktën 45 miliardë euro Brukselit si faturë e ndarjes. Kjo do të thotë se, Londra nuk do të mund të paguajë më 350 milionë Sterlina në javë ndaj shërbimit shëndetësor kombëtar, siç ishte premtuar. Këto para ndërkohë do të shkojnë në arkat e Brukselit.
Qytetarët europianë ndërkohë që jetojnë në Britani do të vazhdojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta si më parë, ndoshta edhe më shumë të drejta në bazë të marrëveshjes së re.
Kjo ka bërë që për disa britanikë, dhe për Nigel Farage në krye të kritikëve, marrëveshja e re të interpretohet si një dorëzim pa kushte i Londrës. Por, në terma të realizmit politik, Londra ka marrë maksimumin që mund të merrte nga kjo marrëveshje, paçka se nuk ishte ajo që shumëkush ka pritur përpara se të votonte pro Brexit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.