FED në harmoni me tregjet – Rrit normën bazë të interesit, ndërhyrja e 3-të që prej krizës

Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara rriti normën bazë të interesit ditën e Mërkurë, për të dytën herë në 3 muaj dhe për të tretën herë që prej krizës financiare.
Ndërhyrja që erdhi pas takimit dyditor të politikave monetare të muajit Mars, u nxit nga rritja e qëndrueshme ekonomike, fuqizimi i tregut të punës dhe nga besimi se niveli i çmimeve po shkon drejt objektivit që ka Banka Qendrore.
Vendimi për të rritur normën e interesit me 25 pikë bazë, në një segment prej 0.75-1.00%, tregoi se zyrtarët e Sistemit Bankar Qendror në SHBA janë të përkushtuar në normalizimin e politikave monetare.
“Kemi parë një progres në ekonomi gjatë muajve të fundit, që ka ndodhur në mënyrë të ngjashme me projeksionet tona”, tha kryetarja e bordit të guvernatorëve Janet Yellen në përfundim të takimit.
Rezerva Federale la të pandryshuar perspektivën për 2 rritje të tjera të normës bazë këtë vit, dhe 3 ndërhyrhje në vitin 2018.
Tregjet e titujve të kapitalit në Shtetet e Bashkuara vazhduan rritjen pas lajmërimit të bankës, ndërsa yield-et e titujve qeveritar të borxhit ranë.
Indeksi S&P 500 shtoi 20 pikë, duke u rritur me 0.84%, në mbyllje të sesionit tregtar, ndërsa Dow Jones shtoi 113 pikë, duke u rritur me 0.54%.
Indeksi i dollarit, që mat performancën e valutës kundër shportës kryesore, ra nga 101.4 në 100.3 pikë, duke reflektuar komentin e Janet Yellen se ritmi i tkurrjes monetare do të vijë gradualisht, pa theksuar ndonjë përshpejtim të numrit të ndërhyrjeve këtë vit.
Në këtë ritëm, normat e interesit në SHBA do të kthehen në një nivel neutral në fund të vitit 2019.
Projeksionet e reja mbi ekonominë ishin thuajse të pandryshuara nga takimi i muajit Dhjetor dhe nuk jepnin detaje të qarta mbi impaktin e politikave të Donald Trump në Ekonomi.
Yellen tha se ka mbajtur takime me Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin dhe me Presidentitn Donad Turmp.
Projeksionet e Fed treguan se ekonomia do të rritet me 2.1% në 2017-ën, ndërsa vlerësimi për normat afat-gjatë të interesit, ku gjykohet se politikat monetare kanë efekt netural në ekonomi, mbetën gjithashtu të pandryshuara në 3%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.