“FED” nuk do ndërhyjë – Ekspertët të bindur se në mbrëmje s`do ketë surpriza

Rezerva Federale pritet t`i mbajë të pandryshuara politikat e saj monetare edhe gjatë takimit të sotëm. Me shumë gjasa, në mbrëmje, Rezerva Federale do të sinjalizojë një tërheqje nga programi i stimujve, duke filluar prej muajit Shtator.
Kjo do të jetë një lloj vote besimi për ekonominë amerikane. Pjesa dërrmuese e ekspertëve dhe ekonomistëve presin që sot në mbrëmje të mos ketë asnjë ndërhyrje në normat e interesit, çka do të përkthehet në një tjetër pauzë në procesin e shtrëngimit të politikave monetare.
Ky proces ka rreth një vit e gjysmë që ka nisur, prej dhjetorit të 2015, dhe gjatë këtij viti ka pasur dy ndërhyrje deri më tani. Institucioni i drejtuar nga Janet Yellen ka premtuar se gjatë këtij viti do të vijë edhe një tjetër ndërhyrje, që me shumë gjasa do të vijë në muajt e vjeshtës.
Ecuria pozitive e ekonomisë amerikane, e sidomos tregu i punës pranë kapacitetit të plotë i jep Rezervës Federale çdo të drejtë për të ndërhyrë. I vetmi shqetësim mes politikëbërësve të institucionit mbetet norma e inflacionit, që ka dhënë sinjale ngadalësimi.
Roel Korkukti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.