FMN apel Greqisë: “Vijoni reformat, pasi janë kritike për të ardhmen”
Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri së fundmi thirrje Greqisë se vazhdimi i reformave është thelbësor në mënyrë që të përmbyllë me sukses programin e tretë të shpëtimit që skadon në Gusht të vitit të ardhshëm.
Ndër të tjera, reformat, sipas FMN, janë kritike edhe për të rifituar aksesin në tregjet e borxhit. Kjo deklaratë vjen pasi Greqia për të parën herë në tre vite arriti të emetojë obligacione, duke bërë kështu një hap të parë mjaft të rëndësishëm drejt pavarësisë financiare.
Kjo pavarësi do të jetë e domosdoshme në momentin që do të përfundojë programi i shpëtimit. Pa akses në tregjet e borxhit, nga ku sigurohet edhe financimi i huaj, ekonomia greke do ta ketë të pamundur të mbijetojë.
“Autoritetet greke kanë ende një axhendë të tejmbushur përpara. Implementimi konstant i politikave do të jetë kritik për suksesin e programit të shpëtimit, rikthimit të besimit, rritjes dhe aksesit në financimin e tregjeve”, deklaroi kreu i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Greqi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.