Fëmijët në situatë rruge – Numërohen rreth 431 fëmijë të trajtuar, vazhdon situata problematike

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Situatë Rruge, raportohet se situata vazhdon të jetë ende problematike. Edhe pse nga institucionet përkatëse po punohet për t’i dhënë fund kësaj situate ende ka shumë për të bërë. Ministrja e Mirëqenies Sociale Olta Xhaçka u shpreh se raportohet për një numër të lartë fëmijësh në situatë rruge, edhe pse rreth 431 prej tyre kanë marrë ndihmën përkatëse.
“431 fëmijë e kanë ndryshuar realitetin e tyre vetëm vitin e fundit. Unë nuk mendoj se janë pak, por shumë më tepër duhet bërë akoma. Jeta është një shans që të jepet vetëm një herë dhe mënyra se si e jetojmë është çështje zgjedhjesh dhe mundësish. Mundësitë janë më të mira sot për fëmijët në situatë rruge dhe për familjet e tyre. Ndaj prindër, zgjidhni realitetin e duhur për fëmijët tuaj. Zgjedhja ime si ministre, si nënë, si grua, si politikane është të jem në gjendje të jap mundësinë të ndërtojmë së bashku një realitet më të mirë, një cilësi më të mirë jete për të gjithë, kryesisht për fëmijët“, tha ministrja Xhaçka.
Nënkryetari i Bashkisë Andi Seferi solli në vëmendje një tjetër problematik të fëmijëve në situatë rruge, atë të braktisjes së shkollës. Gjatë vitit 2016 nga 215 raste të fëmijëve që kanë braktisur shkollën vetëm 50 prej tyre kanë mundur që të rikthehen përsëri.
“Bashkia e Tiranës, në mbrojtje të fëmijëve në situatë rruge, që prej muajit Janar 2016 ka hedhur në terren rreth 12 skuadra terreni, një strukturë identifikuese dhe referuese. Por, pavarësisht ndërhyrjeve permanente të çdo dite që bëhet nga këto skuadra dhe institucionet me të cilat këto bashkëpunojnë, ky fenomen ngelet në nivele shqetësuese“, tha Seferi.
Për të identifikuar dhe për të raportuar mbi fëmijët në situatë rruge Bashkia e Tiranës për vitin 2016 ka patur rreth 11 grupe pune në terren.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.