“FH” për demokracinë – Shqipëria nuk bën progres, shkak korrupsioni dhe drejtësia

“Freedom House” ka publikuar raportin e vitit 2017 për vendet në tranzicion, që mban titullin: “Premtimi i rremë i populizmit”.
Ndër vendet në tranzicion të marra në analizë, 29 në total, dhe që janë vende ish-komuniste e në pjesën dërrmuese ish-republika sovjetike apo vende që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë, figuron edhe Shqipëria.
Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe ato kandidate, “Freedom House” nënvizon se, Shqipëria është një ndër 4 vendet që ka pësuar rënien më të madhe në indeksin e demokracisë në harkun e 10 viteve të fundit.
Vendi ynë ka humbur plot 0.32 pikë në këtë pikëzim, ndërkohë që, Maqedonia, Bullgaria dhe Sllovakia kanë humbur, 0.61, 0.47 dhe 0.47 pikë respektivisht në krahasim me vitin 2017.
Vetëm 5 vende të listës janë përmirësuar, ndërkohë që për 4 prej tyre progresi është thuajse zero. Përjashtim bën vetëm Kosova, ku pikëzimi është rritur me plot 0.40 pikë.
Shqipëria së bashku me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën edhe këtë vit vijojnë të quhen si vende me qeveri tranzit apo regjim hibrid, ndërkohë që, Serbia dhe Mali i Zi janë demokraci gjysmë të konsoliduara.

Siç duket edhe nga harta, vetëm 7 vende të rajonit kanë një demokraci të konsoliduar, dhe asnjë prej tyre nuk gjendet në Ballkan.
Sa i përket ndryshimit në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka bërë as progres dhe as regres, duke grumbulluar po 4.14 pikë, ku pikët më të larta reflektojnë një situatë më të rënduar të demokracisë, në një pikëzim nga 1 në 7.
Sipas këtij pikëzimi, në rajon, Serbia dhe Mali i Zi kanë një demokraci më të konsoliduar se ne. Por, në të gjitha këto vende, ashtu si edhe në Bosnje Hercegovinë, gjendja është rënduar në krahasim me një vit më parë.
Korrupsioni dhe drejtësia janë ato kategori që prodhojnë këtë pikëzim për Shqipërinë, duke u klasifikuar si problematikat kyçe për gjendjen e rënduar të demokracisë. Në të dy këta indikatorë Shqipëria grumbullon 5.25 dhe 4.75 pikë respektivisht, duke e bërë vendin më problematik në të gjithë Ballkanin, pas Kosovës, sa i përket këtyre dy nën-indikatorëve.
Ndër 29 vende të analizuara vetëm 11 prej tyre nuk janë përkeqësuar, dhe dy ndër to janë Shqipëria dhe Kosova.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.