Indeksi i populizmit – Arrin nivelin e viteve `30, tregjet mbi “gjemba”

Aktorët e tregjeve, pikërisht ata që gjenden në kryeqendrën e financave globale në Londër, kanë përpiluar një grafik të ri, dhe që quhet indeksi i populizmit.
Ky indeks mat pikërisht forcën e partive anti-sistem në tregje. Sipas këtij grafiku, kulmi është arritur në vitet ’30.
Në këtë indeks merren parasysh të gjitha partitë apo lëvizjet anti-sistem, të cilat kanë të përbashkët disa nocione si: sulmi ndaj establishmentit politik, sulmi ndaj bankave dhe kompanive shumëkombëshe, masat proteksioniste apo komponenti nacionalist.
Studimi arrin në përfundimin se, fenomeni tashmë ka gjetur një shtrirje të njëjtë me atë të viteve 30, kur në skenë kishte personazhe si Hitleri apo Musolini.
Diçka e tillë po i mban tregjet mbi gjemba, dhe kjo jo për shkakun se populizmi ka forcë të dëmtojë bursat.
Rasti europian i 2017-ës ka një element të ri, që nuk ka qenë më parë; tendencën e partive populiste për të sulmuar monedhën e përbashkët europiane. Thyerja e euros tremb tregjet, për shkak të zhvlerësimeve që do të vinin si rrjedhojë në tregun e këmbimit valutor.
Diçka e tillë do të shkaktonte rënie të vlerës së aksioneve, obligacioneve, depozitave, apo pasurive të patundshme të një vendi, duke dekurajuar investitorët të blejnë.
Pavarësisht se studimi thekson se, populizmi ka pak gjasa të arrijë në nivele qeverisjeje, tregjet nuk mund të mos ta perceptojnë këtë shqetësim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.