Fillojnë përplasjet – May propozim Brukselit. Juncker: Nuk mjafton
Përplasjet mes Brukselit dhe Londrës nuk kanë vonuar të shfaqen publikisht vetëm 4 ditë pas nisjes zyrtare të negociatave. Theresa May i ofroi mbrojtje qytetarëve evropianë që jetojnë në Mbretëri. Kryeministrja britanike i siguroi liderët europianë gjatë samitit në Bruksel se, rreth 3 milionë shtetas europianë që jetojnë në Mbretëri do të mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pas Brexit.
May ofroi të gjitha garancitë e mundshme sa i përket kësaj çështje. Të drejtat e qytetarëve janë një ndër çështjet kryesore që duhet zgjidhur mes Londrës dhe Brukselit përpara se të fillojnë bisedimet për marrëveshjet e tregtisë. Por, në mënyrë të papritur, liderët europiane, duke filluar prej kryeministrit belg, e kanë cilësuar si të dobët këtë propozim të Theresa May.
Jean Claude Juncker ndër të tjera e ka cilësuar si të pamjaftueshme. Fjala e Juncker vulos kështu qëndrimin zyrtar të Brukselit. Për presidentin e Komisionit Europian, ky propozim është vetëm një hap i parë. “Është një hap i parë, por edhe si i tillë, nuk është i mjaftueshëm”-nënvizoi Jean Claude Juncker. Të gjitha deklaratat dhe takimet janë bërë gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel.
Propozimi i Theresa May përfshin dhe rezidencë të përhershme për të gjithë shtetasit europianë që jetojnë prej të paktën 5 vitesh në ishull. Angela Merkel ndërkohë, e kishte cilësuar propozimin si një fillim të mbarë. Të njëjtën gjë pohoi edhe Kancelari austriak.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.