Fjalimi i Trump në Davos – “Amerika e Para do të sjellë përfitime për të gjithë botën”

Presidenti Donald Trump tha në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror se rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara e nxitur nga politikat e tij, do të ndihmojë gjithë botën, duke u përpjekur që të ndërlidhë axhendën e tij “Amerika e Para” me globalizimin.
“Ndërsa Shtetet e Bashkuara rriten, të njëjtën gjë do të bëjë edhe bota. Prosperiteti amerikan ka krijuar pafund vende pune në të gjithë botën dhe nisma për ekselencë, kreativitet dhe inovacion në Shtetet e Bashkuara ka sjellë zbulime të rëndësishme që ndihmojnë njerëzit në të gjithë botën”, tha Donald Trump në forumin ekonomik në Davos.
Trump është presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që merr pjesë në forum në 18 vite. Donald Trump tha gjithashtu përballë audiencës se Shtetet e Bashkuara mbështesin ende tregtinë e lirë për sa kohë është e drejtë dhe reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të negociuar marrëveshje të përbashkëta dhe përfituese bilaterale të tregtisë me të gjitha vendet”, tha Trump. Megjithatë ai sugjeroi më vonë një përjashtim të vendeve të paqësorit, që janë pjesë e Partneritetit Trans-Paqësor, pakt që e ka braktisur vitin e kaluar.
“Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje ekzistuese tregtare me disa prej këtyre 11 vendeve dhe ne do të konsiderojnë negociatat me pjesën tjetër, individualisht apo në grup, nëse është në interes të të gjithëve”, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Trump përmendi gjithashtu ndryshimet tatimore në vend dhe tha se tashmë është koha perfekte për të sjellë bizneset, vendet e punës dhe investimet në Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.