Fluturimet i “rrëmbejnë” pasagjerët transportit detar – “Ringjallet” hekurudha, 2 mijë pasagjerë më shumë në Janar

Gjatë muajit Janar, treni është parë si një mënyrë e mirë transporti nga 2,343 pasagjerë. Ndonëse një shifër shumë e vogël në dukje, ajo përbën një rritje domethënëse nga viti i kaluar, kur në këtë periudhë përdorën transportin hekurudhor vetëm 123 persona.
Kjo rritje konfirmon trendin e ndjekur gjatë muajve të fundit të vitit 2017 dhe vjen në një moment kur po merren hapa konkretë për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe shtimin e një linje lidhëse me Rinasin.
Vëmendja në fushën e transportit të pasagjerëve mbetet gjithsesi tek transporti ajror, i cili gjatë muajit Janar vijoi rritjen me 11.7%. Kjo përkthehet në një rritje të numrit të pasagjerëve nga 191 mijë në 214 mijë individë.
Ky moment i mirë për aviacionin civil vjen si rezultat i disa faktorëve, si rritja e numrit të shoqërive ajrore në vend, shtimi i numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, shtimi i turistëve të huaj, si dhe pjesërisht përmirësimi i gjendjes ekonomike për një shtresë të popullsisë.
Në Janar nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit u nisën mbi 2 mijë fluturime, çka përbën një rritje me 13.6%, ose rreth 250 fluturime më shumë se një vit më parë.
Sa i takon pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare, muajin e kaluar ky numër ra me 11.4%. Duke qenë se kryesisht kjo mënyrë transporti zgjidhet nga pasagjerët që udhëtojnë nga dhe në drejtim të Italisë, rënia mund të justifikohet me faktin se një pjesë e individëve mund të kenë zgjedhur të udhëtojnë me avion, duke përfituar edhe nga tarifat e ulëta që një pjesë e linjave ajrore tashmë ofrojnë.
A.H./SCAN
“Bum” fluturimesh, AAC: Shtohen 2 destinacione të reja, në shqyrtim 4 të tjera. Ja cilat do të jenë ato
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.