FMN për Gjermaninë – Po shkëlqen, por jo për shumë gjatë

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rritur projeksionet për ekonominë gjermane, duke bërë gjithashtu thirrje për më shumë investime.
Rishikimi pozitiv i projeksioneve vjen si pasojë e kërkesës më të fortë të brendshme dhe rritjes së eksporteve në ekonominë më të madhe të Europës.
Tashmë, fondi pret që ekonomia gjermane të rritet me një normë prej 1.8% gjatë këtij viti në terma reale, ndërkohë që në parashikimin e fundit, atë të Prillit, fliste për një normë rritje prej 1.6%.
Edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë rishikuar, në 1.6% rritje, nga 1.5% që vlerësohej më parë.
“Rritja e ekonomisë gjermane nuk e ka humbur vrullin, duke u mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme”, thotë FMN duke evidentuar rritjen rekord të punësimit, rritjen e shpenzimeve qeveritare por edhe programin e stimujve të Bankës Qendrore Europiane, si një ndër shtysat kryesore të ekonomisë më të madhe të Europës.
Por ndërkohë, në terma afat-mesëm dhe afat-gjatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është aspak optimist për Gjermaninë, pasi vë në dukje se, plakja e shpejtë e popullsisë dhe mungesa e reformave strukturore shumë shpejt do të fillojnë të japin efekt.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.