FMN ul projeksionet – Do të ngadalësohet rritja ekonomike botërore në 2019, 2020
Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi në rënie projeksionet e rritjes së ekonomisë botërore për 2019 dhe 2020, në 3.5% dhe 3.6% në mënyrë respektive, duke përmendur ngadalësimin e vrullit dhe pesimizmin në tregjet financiarë. Fondi bëri të ditur se rritja ekonomike do të jetë 0.2% më e ulët këtë vit dhe 0.1% në rënie për 2020-ën, krahasuar me projeksionet e muajit Tetor.
Në veçanti, rritja e ekonomive të zhvilluara pritet të ngadalësohet nga 2.3% në 2018-ën, në 2% këtë vit dhe 1.7% në tjetrin. Bota në zhvillim do të pësojë gjithashtu ngadalësim këtë vit, përpara se të rifitojë vrull në vitin 2020.
Fondi projektoi një rritje me 6.6% të ekonomisë kineze për vitin 2018, që ishte e njëjte me treguesin e publikuar nga zyra e statistikave në Kinë. Ndërkohë që rritja ekonomike botërore po ngadalësohet, Fondi në Washington argumenton se prioriteti në politika duhet të jetë rritje e perspektivës afatmesëm dhe zgjerimi i përfshirjes ekonomike.
Ekonomitë janë këshilluar që të rrisin bashkëpunimin shumëpalësh dhe të optimizojnë politikat e brendshme, përfshirë rritjen e produktivitetit, diversifikimin e strukturave të industrisë, rritjen e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore dhe trajtimin e borxhit. Ulja e projeksioneve u lajmërua nga shefja e ekonomistëve të FMN, Gita Gopinath, përpara takimit vjetor në Davos që do të zhvillohet këtë javë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.