Fondet e investimit – 31 mijë anëtarë dhe 73.6 miliardë lekë asete

Tregu i fondeve të investimit i është rikthyer rritjes me ritme të kënaqshme për gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të shtatorit arriti në 73.6 miliardë lekë, 12.5% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Pas një frenimit gjatë vitit të kaluar, tregu i është rikthyer rritjes, çka vërehet edhe në numrin e anëtarëve, që ka arritur në mbi 31 mijë, në rritje me afro 9% që nga fillimi i vitit.

Rritja e tregut gjatë këtij viti është e shpërndarë mes instrumenteve të ndryshme dhe instrumente kryesor i investimit ngelen obligacionet qeveritare. Megjithatë, një rritje të konsiderueshme po regjistrojnë investimet në obligacionet e shoqërive tregtare, që kanë arritur në 3.7 miliardë lekë. Ky instrument investimi është i lidhur kryesisht me investimet në euro jashtë vendit, në kushtet kur tregu i brendshëm nuk ofron shumë alternativa të investimit financiar në valutë.
Aktualisht, në tregun e fondeve të investimit veprojnë tre subjekte, “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest” dhe “Credins Premium”.
“Credins Premium”, fondi i investimeve që nisi aktivitetin një vit më parë po arrin rezultate të mira në rritjen e përfitimeve për anëtarët e fondit. Kështu, asetet neto për kuotë në këtë fond janë rritur me 6.8% që nga fillimi i vitit, krahasuar me rritjen 3.7% të fondit tjetër në lekë, “Raiffeisen Prestigj”.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.