Fondi i pagave rritet me 6.5% në tremujorin IV 2016

Fondi i pagave të sektorit privat u zgjerua sërish në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, çka tregon një vijimësi në ecurinë pozitive të tregut të punës. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i fondit të pagave u rrit mesatarisht me 6.5% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Bizneset rritën fondin e pagave në shumicën e sektorëve ekonomikë, me përjashtim të disa degëve të shërbimeve, si transporti, telekomunikacionet apo hoteleria.
Sidoqoftë, dega e shërbimeve mesatarisht regjistroi rritjen më të lartë të fondit të pagave, me 8.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo përputhet edhe me ecurinë e përgjithshme të sektorit, që këtë vit është shtylla kryesore e rritjes ekonomike. Brenda shërbimeve, ecurinë më të mirë e shfaqën shërbimet profesionale të arkitekturës dhe inxhinierisë, me 16.7% dhe tregtia me 16.1%.
Sektori i ndërtimit konfirmoi ecurinë përgjithësisht pozitive edhe për sa i takon pagave. Indeksi i fondit të pagave për këtë sektor në tremujorin e katërt 2016 u rrit me 6.6%.
Ecuri pozitive shfaqi edhe industria, ku indeksi i fondit të pagave u rrit me 3.2%. Pas shumë tremujorësh në rënie, indeksi i fondit të pagave u rrit me 12.8% për industrinë nxjerrëse, çka rezultoi përcaktuese për rritjen e këtij treguesi në gjithë sektorin industrial.
Sipas të dhënave më të fundit të Instat, paga mesatare në Shqipëri vlerësohet në pak më shumë se 37 mijë lekë në muaj. Nivelin më të lartë të pagave e mban industria nxjerrëse, me afro 92 mijë lekë në muaj e ndjekur nga sektori i informacionit dhe komunikimit, me 56 mijë lekë në muaj.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.