Forcat e Armatosura pastrojnë plazhin e Divjakës dhe 60 km vijë bregdetare

Plazhi i Divjakës tani ka një tjetër pamje dhe është bërë më tërheqës për pushuesit. Forcat e Armatosura u përqendruan për 28 ditë u angazhuar për pastrimin e plazhit të Divjakës dhe të më shumë së 60 kilometra vijë bregdetare në të gjithë vendin.
Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë (b3k) së Poshnjes dhe mjetet e rënda të Komandës Mbështetëse, larguan dhjetëra ton mbetje dhe pastruan qindra metra katror nga hapësira e plazhit.
“Jemi angazhuar në këto dy muajt e fundit me rreth 2500 efektivë të FA në të gjithë Shqipërinë. FA i hapën rrugë projektit të Bashkisë Fier për përmirësimin e infrastrukturës; janë pastruar rreth 14 mijë metër kub inerte të ardhura nga prishja e ndërtesave buzë lumit Gjanicë. Djemtë tanë në uniformë janë angazhuar jo vetëm për sigurinë e jetës së komunitetit, por edhe duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që ne kemi duke filluar nga kërkim – shpëtimi, tek helikopterët tanë për evakuim ajror për të gjithë ata që mund të kenë nevoja shëndetësore”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Veç pastrimit të vijës bregdetare, efektivët e batalionit të tretë të këmbësorisë bënë të mundur largimin e disa ton mbetjesh nga Kanali i Vaut që është edhe pjesë e parkut kombëtar Divjakë – Karavasta.
Forcat e Armatosura ndërtuan edhe urën “bailey” pranë fshatit Zhelizhan, e cila iu vjen në ndihmë 1100 banorëve të zonës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.