Frankfurti zëvendëson Londrën – Morgan Stanley zgjedh Gjermaninë pas Brexit
Morgan Stanley ka zgjedhur Frankfurtin si kryeqendrën europiane që do të zëvendësojë Londrën pas daljes nga Bashkimi Europian.
Siç dihet, Londra është epiqendra e financave globale dhe këtë titull ja jep më së shumti fakti që është anëtare e Bashkimit Europian.
Me daljen nga blloku, bankat që operojnë në vend do ti humbasin të gjitha të drejtat që gëzojnë nga të qenit pjesë e tregut të përbashkët europian.
Për këtë arsye, shumë banka të rëndësishme po përgatisin planet e shpërnguljes. Pjesa dërrmuese janë në dilemë midis Frankfurtit dhe Parisit.
Morgan Stanley, ndërkohë, nuk ka më asnjë dilemë, dhe do të zhvendoset në qytetin ku strehohet Banka Qendrore Europiane, bursa më e madhe e Gjermanisë, por edhe një sërë institucionesh të tjera huadhënëse.
Morgan Stanley është banka amerikane e radhës që zgjedh një qytet gjerman për të zëvendësuar Londrën.
Pjesa më e madhe e bankave kanë vendosur që të përdorin degët që kanë nëpër qytete të ndryshme europiane për të vijuar operacionet, në rast se në Mars të 2019, Londra do të humbasë të drejtat që sektori financiar gëzon nga të qenit pjesë e tregut të përbashkët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.