Frontex: BE-ja regjistron rritje rekord të numrit të emigrantëve që nga fillimi i 2016, pa përfshirë ukrainasit!
Numri i emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Europian në tremujorin e parë të vitit 2022 është rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2016, ka thënë agjencia e kufirit dhe rojës bregdetare të BE-së.
Frontex vlerëson se ka pasur më shumë se 40,000 hyrje të emigrantëve në bllokun 27-vendesh midis janarit dhe marsit 2022, 57% më shumë se një vit më parë. Kjo shifër përjashtonte refugjatët që iknin nga Ukraina dhe hynin përmes pikave të kalimit kufitar të BE-së.
Këtë vit, Ballkani Perëndimor ishte rruga më e popullarizuar për emigrantët, sipas Frontex, që përbën gati gjysmën e kalimeve të emigrantëve në BE këtë vit.
Shumë emigrantë udhëtojnë nëpër Ballkanin Perëndimor për të hyrë në vendet anëtare të BE-së, Kroaci dhe Greqi nga Turqia dhe kalojnë në drejtim të veriut. Shumë emigrantë këtu ishin nga Siria dhe Afganistani. Frontex shtoi se numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin nga Franca në MB u rrit me 190% krahasuar me një vit më parë.
Mbretëria e Bashkuar së fundi arriti një marrëveshje të diskutueshme me Ruandën për të fluturuar ata që kapeshin duke hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vendin e Afrikës Lindore, ndërsa kryeministri Boris Johnson u shpreh se është e nevojshme të “ndalohen kontrabanduesit e njerëzve”. Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar planin si “tronditës e të konceptuar keq”.
Numri i kalimeve të paligjshme të zbuluara nga Frontex në Europën Lindore shënoi rritjen më të madhe nga të gjitha rrugët e migracionit, me 714%.
Kjo ishte për shkak të disa qytetarëve ukrainas që kërkonin të kalonin ilegalisht në BE në pika të paautorizuara të kufirit, megjithëse shumica dërrmuese e ukrainasve kanë mbërritur legalisht përmes kalimeve të rregullta, tha agjencia kufitare.
Pothuajse pesë milionë njerëz janë larguar nga lufta në Ukrainë deri më tani, me Poloninë që ka mirëpritur më shumë se gjysmën e tyre dhe Hungaria ka marrë afër gjysmë milioni, sipas shifrave të OKB-së.
Të dyja këto vende refuzuan të pranonin refugjatë nga Lindja e Mesme kur BE-ja u përpoq të krijonte një sistem për ndarjen e tyre në të gjithë bllokun. AP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.