I ftohti siberian, Rusia shpëton Europën me furnizim rekord gazi – Gazprom: Të vetmit që përballojmë kërkesën

Rusia po dërgon më shumë gaz natyror në Europë se kurrë më parë, teksa vala e të ftohtit siberian, ka rritur kërkesat për ngrohje dhe elektricitet, duke nënvizuar edhe njëherë varësinë e kontinentit nga fqinji lindor.
Furnizimi ditor me gaz nga kompania shtetërore ruse Gazprom arritën rekordin në Shkurt, sipas të dhënave të kompanisë. Konsumi në Europë kapërceu pikën më të lartë të të aktën 5 viteve të fundit gjatë javës së fundit të muajit, ndërsa edhe këtë javë kërkesa vijon të mbetet e lartë.
“Po shohim fundin e dimrit më të ftohtë prej vitesh dhe Rusia është furnizuesi kryesor, me mjaftueshëm kapacitet rezervë për të përballuar një rritje ekstreme kërkesash”, u shpreh meteorolog Giacomo Masato.
Kjo i dha shkas kompanisë së bazuar në Moskë të mburret edhe njëherë mbi rolin si gardiani i energjisë për Europën.
“Vetëm Gazprom është e aftë të rrisë furnizimet me gaz për konsumatorët europianë në nivele maksimale dhe me shpejtësi marramendëse. Nuk ka asnjë furnizuar tjetër që të mund ta përballojë këtë detyrë”, tha shefi ekzekutiv Alexey Miller.
“Bisha nga lindja” solli mjaft sforcim për rrjetin europian të energjisë dhe çmimet e gazit u trefishuan në Mbretërinë e Bashkuar. Furnizuesit kryesorë të Europës mbeten Rusia dhe Norvegjia, por kjo e fundit nuk e ka kapacitetin rezervë të Rusisë, ndërsa gjatë krizës, disa impiante gazi nuk përballuan dot pikun e krizës.
Konsumatorët iu drejtuan edhe cisternave me rezerva të gazit në Gjermani me tarifa rekord për të përballuar rritjen e kërkesës.
Vitin e kaluar, Rusia shiti mbi 38 miliardë dollarë gaz në tregjet e Europës dhe po përfiton nga fakti se nuk ka ende furnizues të tjerë që mund të sigurojnë rezerva për kontinentin. Ndër lidhjet e ardhshme që mund të antagonizojnë Rusinë janë fushat gjigande të prodhimit në rajonin e Detit Kaspik, të cilat do të dërgohen përmes gazsjellësit TAP, si dhe rezervat nga Afrika e Veriut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.