Fuqizohet manifaktura në Kinë! Rritet aktiviteti i fabrikave. Eksportet kufizohen nga lufta tregtare

Aktiviteti i fabrikave në Kinë u rrit papritmas në muajin Mars, duke treguar se stimujt e Qeverisë mund të kenë nisur të japin efekt në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Përmirësimi i ndjesisë së bizneseve, nëse vazhdon në mënyrë të qëndrueshme, tregon se manifaktura po rimëkëmbet dhe ekonomia kineze mund të mos pësojë një rënie të madhe. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar për shtrembërimet sezonale për shkak të vitit të ri Hënor në muajin Shkurt.
Sipas tyre, investimet reale dhe kërkesa konsumatore ka qëndruar e dobët. Sipas indeksit PMI, që formulohet nëpërmjet sondazheve në sektorin privat, aktiviteti i fabrikave është rritur gjatë Marsit, për të parën herë në 4 muaj.
Prodhimi i fabrikave u rrit me normën më të shpejtë në 6 muaj gajtë Marsit, duke lënë pas tkurrjen e muajit të kaluar. Porositë e reja industriale patën gjithashtu një rritje të shpejtë.
Kina lajmëroi 5 ulje të normës së rezervës së detyruar të bankave në vitin e kaluar, për shtuar likuiditet te bankat dhe nxitur huadhënien drejt firmave private. Eksportet u tkurrën për të 10-in muaj radhazi, duke treguar se kërkesa jashtë vendit ka qëndruar e dobët dhe mund të duhen ndërhyrje të mëtejshme politike për të zbutur tensionin e luftës tregtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.