G20, mbizotëron tregtia – Liderët mbështesin tregtinë e lirë, SHBA mbron interesat kombëtare

Liderët financiarë të botës premtuan se do të mbrojnë tregtinë e lirë, përballë tarifave nga Shtetet e Bashkuara dhe sanksioneve tregtare ndaj kinës, megjithatë zyrtarët amerikanë thanë se nuk do të sakrifikojnë interesat kombëtare.
Takimi në Buenos Aires i ministrave të financave dhe guvernatorëve të 20 ekonomive më të mëdha të botës (G20) këtë javë, kishte për qëllim diskutimin e perspektivës ekonomike, punësimin, kriptovalutat dhe shmangjen e taksave korporative.
Megjithatë, tregtia mbizotëroi në bisedime, pas lajmërimit të Donald Trump për tarifa në 25% të importeve të çelikut dhe 10% për aluminin.
Trump pritet të lajmërojë tarifa të reja këtë javë ndaj 60 miliardë dollarë mallrave kinezë, për të ndëshkuar Pekinin mbi përpjekjen për të zotëruar pronën intelektuale në SHBA.
Zyrtarët e grupit të 20-të ishin të shqetësuar mbi kërcënimin që lufta tregtare i shkakton rritjes ekonomike botërore.
“Rreziku kryesor është proteksionizmi”, tha Komisioneri europian Pierre Moscovici.
Nga ana tjetër, sekretari i Thesarit Steve Mnuchin, tha se SHBA nuk mund të sakrifikojnë interesat e veta në mënyrë që të funksionojë sistemi.
Zyrtarët në takim thanë se Mnuchin reflekton këndvështrimin e Donald Trump. Pjesa tjetër ndante të njejtën perspektivë me Europën.
“Ka një konsensus në komunitetin global se tregtia e lirë është e rëndësishme”, tha Haruhiko Kuroda, guvernatori i bankës së japonisë.
Kanadaja dhe Meksika janë të përjashtuara fillimisht nga tarifat e Trump, që do të hyjnë në fuqi më datë 23 Mars, ndërkohë që objektivi kryesor është Kina.
Zyrtarët në Bashkimin Europian kërkojnë një përjashtim gjithashtu.
“Kam qenë i qartë me sekretarin Mnuchin se ne presin për një përjashtim të plotë nga këto tarifa”, tha ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Pa ndonjë përjashtim, Bashkimi Europian do të kundërpërgjigjet me një serë masash që po i përgatit, sipas Pierre Moscovici.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.