“Gara” me programet ekonomike – Alternativat e PS,PD dhe LSI për taksat dhe punësimin

Fushata elektorale ka shënuar startin e saj kohë më parë për zgjedhjet 2017 edhe pse vetëm tani zyrtarisht partitë kanë nisur takimet derë më derë. E për të kërkuar votën duhet të parashtrosh alternativën dhe vizionin për 4 vitet e ardhshme. Por cilat janë në fakt alternativat që paraqesin sot tre partitë kryesore në vend sa i përket taksave dhe ekonomisë në përgjithësi.
Partia Socialiste
Në programin e saj në themel qëndron sërish taksa progresive veçse këtë herë për pagat e larta që janë ato mbi kufirin 130 mijë lekë taksimi do të jetë 18 për qind dhe jo 23 për qind siç është aktualisht.
Tatimfitimi për kompanitë e software do të jetë 5 për qind ndërkohë që dividenti do të taksohet në nivelin 6 për qind nga 15 për qind që është aktualisht.
Pagat e administratës do të rriten me 40 për qind kurse për pensionistët do të parashikohet shpërblim 7-10 mijë lekë çdo vit. Vendet e reja të punës që synohen të hapen në 4 vitet e ardhshme janë 220 mijë.
Projekti 1 miliard dollarë për investime të rëndësishme përmes partneriteteve publike-private mbetet një tjetër pikë e rëndësishme.
Partia Demokratike
Programin e saj kjo parti e publikoi qysh në vitin 2016. Lidhur me taksat propozohet : Nivel
9% për taksën mbi të ardhurat personale,
9% për taksën korporative,
9% kontribute shoqërore nga punëmarrësi,
9% nga punëdhënësi,
15% tatim mbi vlerën e shtuar që aktualisht është 20% me përjashtim të nivelit 6 për qind në turizëm për strukturat akomoduese.
Lidhur me reformën në financat publike Partia Demokratike ka premtuar.
- Rikthimin e rregullit të borxhit publik të mos kalojë 60% të PBB
- Niveli i defiçitit buxhetor nën 3.5%
- Tavani i shpenzimeve buxhetore 31% e PBB
PD është angazhuar edhe për subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kwh për të gjitha familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
Lëvizja Socialiste për Integrim prezanton një tjetër alternativë:
Së pari 170 mijë vende të reja pune.
Lidhur me taksat propozohet që bizneset me xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë të kenë tatim fitim 5 për qind. Ato me xhiro nga 20 milionë lekë në 100 milionë lekë 8 për qind. Bizneset me xhiro mbi 100 milionë lekë tatimfitim 10%. Taksimi aktual është 15 %.
Për tatimin mbi të ardhurat personale parashikohet që pagat deri në 35 mijë lekë tatimi të jetë zero. Për të ardhurat nga 35 mijë deri në 200 mijë lekë tatimi 8% për diferencën mes 35 mijë dhe 200 mijë. Për pagat mbi 200 mijë lekë do të aplikohet tatimi mbi 10 për qind.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.