Gazi është ‘kyç’ në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe furnizimi mund të ndërpritet në mbarë botën!

Forcat ruse filluan të enjten sulmin e tyre të pritur me frikë tashmë ndaj Ukrainës, duke dërguar valë tronditëse nëpër tregjet financiare dhe duke rritur frikën rreth pasojave për furnizimet me gaz në mbarë botën.
Presidenti rus Vladimir Putin hodhi mënjanë dënimin ndërkombëtar dhe këstin e parë të sanksioneve duke deklaruar fillimin e një “operacioni special ushtarak” që synon “çmilitarizimin” e Ukrainës. Forcat ruse thuhet se kanë gjuajtur raketa në qendrat e kontrollit ushtarak në Kiev dhe sirenat janë dëgjuar në të gjithë kryeqytetin.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha përmes Twitter-it të enjten se Putini “kishte nisur një pushtim në shkallë të plotë” të vendit, të cilin ai e përshkroi si “një luftë agresioni”. Kuleba u bëri thirrje liderëve botërorë që të ndalojnë presidentin rus. “Koha për të vepruar është tani,” tha ai.
Çmimet europiane të gazit u rritën pas lajmeve për pushtimin, ndërkohë që çmimet standarde ndërkombëtare të naftës bruto Brent kaluan 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014.
SHBA, Kanadaja, Britania, Bashkimi Europian, Australia dhe Japonia ishin ndër vendet që shpallën valën e parë sanksioneve kundër Rusisë në fillim të kësaj jave, duke synuar bankat dhe individët e pasur. Një breshëri e dytë masash pritet gjerësisht së shpejti.
Nëse Rusia ndërpret furnizimet e saj me gaz, ka të ngjarë të ketë pasoja të thella shëndetësore publike dhe ekonomike, veçanërisht pasi një skenar i tillë mund të vijë gjatë dimrit dhe në mes të pandemisë së koronavirusit.
Analistët në Wood Mackenzie thanë se Europa mund të kënaqë kërkesën për gaz për momentin dhe aktualisht është në një pozicion më të mirë se sa ishte në fillim të dimrit. Megjithatë, perspektiva afatgjatë është më e pasigurt.
Kateryna Filippenko, analistja kryesore për kërkimin e gazit në Europë në Wood Mackenzie, tha se “gjërat padyshim mund të përkeqësohen shumë” nëse eksportet ruse në Europë ndërpriten. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.