GJED gjobit Poloninë me 1 milion euro në ditë për reformat e saja në drejtësi!
Polonia duhet të paguajë gjoba ditore prej 1 milion eurosh për reformat e saj të diskutueshme në drejtësi, ka vendosur Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian (ECJ). Dënimi besohet të jetë më i larti i vendosur ndonjëherë ndaj një shteti anëtar.
Masat ndëshkuese do të jenë në fuqi derisa Varshava të pranojë të pajtohet me një vendim të GJED-së të lëshuar në korrik që urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të dhomës disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe anulimin e vendimeve që ajo kishte marrë tashmë për heqjen e vendimeve gjyqësore të imunitetit. Dhoma mund të dënojë magjistratët sipas përmbajtjes së vendimeve të tyre.
Brukseli beson se dhoma e diskutueshme është një kërcënim për pavarësinë gjyqësore të vendit sepse i bën gjyqtarët subjekt të kontrollit politik. Varshava, megjithatë, këmbëngul se është një mjet thelbësor për të eliminuar mbetjet e regjimit komunist.
Pasi u injoruan thirrjet e përsëritura ndaj Polonisë për të respektuar vendimin e korrikut, Brukseli i kërkoi GJED-së të vendoste gjoba ditore – hapi i fundit dhe më radikal i veprimit të saj ligjor. Sanksionet do të zbriten nga fondet e BE-së që Polonia merr periodikisht. Vendi është deri tani përfituesi më i madh i fondeve të BE-së, pasi ka marrë më shumë se 18 miliardë euro në vitin 2020.
Në vendimin e së mërkurës, GJED vë në dukje se Polonia nuk ka bërë ndryshimet e nevojshme në rendin e saj ligjor për t’i hequr kompetencat e dhomës disiplinore, që do të thotë se ajo vazhdon të funksionojë. Shpërbërja është e nevojshme “për të shmangur dëme serioze dhe të pariparueshme për rendin juridik të Bashkimit Europian dhe, rrjedhimisht, për të drejtat që individët përfitojnë nga ligji i BE-së dhe vlerat mbi të cilat është themeluar ai Union, në veçanti, ai i sundimit të ligjit”, ka shkruar nënkryetari i GJED-së.
Zëvendës presidenti shtoi se “qëllimi i shprehur i Polonisë për të miratuar, brenda një viti, një sërë masash që synojnë reformimin e sistemit gjyqësor polak” nuk mjafton për të parandaluar dëmin tani. Duke reaguar ndaj vendimit të GJED-së, Piotr Müller, zëdhënës i qeverisë polake, tha se rregullimi i gjyqësorit ishte “kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare”.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.