Gjermania po shqyrton sistemin e ri të mbrojtjes raketore!
Kancelari gjerman Olaf Scholz konfirmoi të dielën se qeveria e tij po shqyrton ngritjen e një mburoje raketore për të gjithë Gjermaninë. Sistemi i mbrojtjes raketore do të bazohet në modelin izraelit.
Scholz nuk pranoi të jepte më shumë detaje mbi planin e mundshëm, duke shtuar se ai nuk ishte përfundimtar. Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt, Scholz njoftoi një fond special prej 100 miliardë eurosh (110 miliardë dollarë) për forcimin e ushtrisë gjermane.
Sipas gazetës gjermane Bild, kancelari gjerman diskutoi se si të përdoret fondi me inspektorin e përgjithshëm të Bundeswehr-it Eberhard Zorn dhe ministren e Mbrojtjes Christine Lambrecht të mërkurën.
Gazeta gjermane Bild am Sonntag kishte raportuar më parë se Gjermania po konsideronte blerjen e sistemit izraelit Arrow 3. Ky sistem do të kushtonte 2 miliardë euro (2.2 miliardë dollarë), raportoi gazeta.
Sistemi Arrow është i aftë të shkatërrojë raketa balistike me rreze të gjatë dhe mund të funksionojë në lartësi aq të larta sa stratosfera.
Sistemi izraelit Arrow nuk duhet ngatërruar me Iron Dome, i cili shkatërron raketat me rreze të shkurtër veprimi me fluturim më të ulët. Bundeswehr-i i Gjermanisë tashmë ka një sistem Patriot i cili është i aftë të përgjojë raketa me rreze të shkurtër veprimi. AFP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.