Gjermania zgjodhi sot kreun e ri të shtetit – Steinmeier emërohet President i vendit!
Asambleja Federale rizgjodhi sot në Berlin Frank-Walter Steinmeier si President Federal të Gjermanisë në mandatin e tij të dytë. Atë e propozuan për mandatin e ri partitë qeveritare SPD, të Gjelbrit dhe FDP, si dhe opozita CDU/CSU pasi së bashku, ato kishin një shumicë të madhe në Asamblenë Federale.
Frank Walter Steinmeier pasi u zgjodh në këtë post me 1045 vota, shprehu respektin për bashkëkandiduesit për postin e Presidentit Federal dhe tha se do të jetë një President mbipartiak, por jo neutral, kur është fjala për demokracinë.
Steinmeieri tha do të punonte për të kapërcyer plagët në shoqëri, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Në fjalën e saj të hapjes, Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, duke iu referuar pandemisë së koronas, tha se Asambleja aktuale Federale tregoi se shteti gjerman mund të funksionojë edhe në kushte të vështira.
Kreu i shtetit gjerman nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por nga Asambleja Federale që është organi më i madh parlamentar në Gjermani, misioni i vetëm i të cilës është të zgjedhë kreun e shtetit çdo pesë vjet. Ajo përbëhet nga deputetë të Bundestagut gjerman dhe një numër i barabartë njerëzish të dërguar nga 16 parlamentet rajonale. Duke qenë se Bundestagu aktualisht ka 736 deputetë, Asambleja Federale pati këtë herë 1472 votues – një numër i paarritur më parë. Deutsche Welle
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.