Greqia premton ndihma për bizneset. Vendi rihap disa dyqane pavarësisht rritjes së rasteve me Covid-19
Greqia do të ofrojë më shumë ndihma financiare tek bizneset e goditura nga masat e karantinës në muajin Prill, sipas Ministrit të Financave, Christos Staikouras, ndërkohë që dyqanet janë rihapur, pavarësisht rritjes së rasteve të reja me Covid-19. Javën e kaluar, Qeveria lajmëroi lehtësimin e karantinës për të zbutur vështirësitë e bizneseve, duke lejuar dyqanet e vogla me pakicë që të rihapen. Nën rregullat e reja, konsumatorët do të duhet të lenë orare dhe të respektojnë një limit 3-orarësh për të bërë Pazar, ndërsa shitësit nuk mund të lejojnë më shumë se 1 konsumatorë për 25 metra katrorë. Masat përjashtojnë qendrat tregtare dhe dyqanet në Athinë, që do qëndrojnë të mbyllura, si dhe në 3 rajone të tjera me nivele të larta të infeksionit, përfshirë Selanikun. Greqia e manaxhoi valën e parë të pandemisë vitin e kaluar shumë më mirë se vende të tjera në Europë, por shërbimet e shëndetësisë, të rënduara nga një dekadë e krizës financiare, janë gjendur nën presion përballë rritjes së rasteve me koronavirus. Masat e karantinës të vendosura në Nëntor kanë shkaktuar pakënaqësitë dhe kanë bërë mbijetesën të vështirë për shumë biznese, por ministri i Financave, Christos Staikouras tha se qeveria do të ndihmojë, nëpërmjet aftësisë për të marrë hua në tregjet financiarë. Paketa prej 130 milionë euro do të ndihmojë rreth 100,000 biznese, përfshirë rreth 10,800 shitës me pakicë, me ndihma që variojnë nga 1,000-4,000 euro, në varësi të numrit të punonjësve. “Ne po përdorim fondet e gjeneruara nga tregjet në muajt e fundit, për të mbështetur bizneset dhe familjet”- tha ministri. Në 24 orët e fundit, Greqia raportoi 1,955 raste të reja me Covid-19 dhe 78 vdekje, duke e çuar totalin e infeksioneve në 275,414 dhe të vdekjeve në 8,380.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.