“Hard Brexit” rrëzon paundin – Kabineti i Johnson përgatitet për daljen pa marrëveshje
Paundi Britanik ra në nivelin më të ulët në më shumë se 2 vite, ndërkohë që Kryeministri Boris Johnson po përgatit masat për daljen pa marrëveshje nga Europa, 3 muaj përpara datës zyrtare të Brexit. Sterlina ra kundër 10 valutave kryesore, pasi disa anëtarë në ekipin e Johnson ashpërsuan qëndrimin për Brexit. Ministri i Financave, Sajid Javid, tha se po përgatit Thesarin për daljen pa marrëveshje, ndërsa Michael Gove, tha për Sunday Times se qeveria është bazuar në supozimin se bisedimet me Europën do dështojnë.
Paundi ka treguar performancën më të keqe në valutat e G-10, prej trazirave politike. Sipas analistëve, caktimi i mbështetësve të Brexit në postet kryesore të kabinetit, ka rritur shanset e daljes pa marrëveshje nga Bashkimi Europian në muajin Tetor. Paundi ra me 0.4% në 1.2332 kundër dollarit në nisje të tregtisë, që është niveli më i ulët që prej Marsit 2017.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.