“Hawaii” i Kinës heq vizat për shqiptarët – Mund të qëndrojnë në Hainan për 30 ditë pa viza
Duke filluar nga 1 Maji, Kina do të ofrojë akses të lirë pa viza në ishullin e Hainanit, për turistët nga 59 shtete të botës. Në listë përfshihet edhe Shqipëria, shumica e vendeve të Europës, SHBA, Kanadaja dhe disa shtete të Amerikës Jugore dhe Azisë.
Tashmë vizitorët nga këto shtete do të mund të qëndrojnë në ishullin e cilësuar si një kryqëzim mes Hawaiit dhe Dubait për 30 ditë pa patur nevojë për të aplikuar për vizë.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë kineze për të hapur dhe reformuar provincën më jugore të vendit. Vitin e kaluar Hainan priti 1.1 milionë turistë të huaj, një rritje me 50% nga viti në vit.
Nga 1 Prilli, ndërkohë, qytetarët kinezë mund të hyjnë në territorin e Shqipërisë pa viza, duke paraqitur vetëm pasaportën.
Në Hainan mbizotëron klima e ngrohtë në çdo stinë. Madhështia e Hainanit qëndron tek ishujt e vegjël natyrorë të rrethuar nga ujërat kristalorë dhe plazheve me rërë të bardhë. Është një strehë që të bën të harrosh gjithçka. Koha e lirë mund të kalohet mes banjave dhe shijimit të qetësisë, por nuk mungojnë edhe aktivitetet e shumta sportive, si sërfi, noti, rrëshqitja në ujë apo zhytjet.
Për të kthyer ishullin në një destinacion ndërkombëtar, qysh nga 1 janari i vitit 2011, në provincën Hainan në Kinën Jugore nisi të zbatohet politika e kthimit të taksave për turistët e huaj. Sipas kësaj politike, kur të largohen nga ishulli Hainan, turistët e huaj mund të paraqesin kërkesën për kthimin e taksave të mallrave të blera në dyqane të posaçme.
A.H./SCAN
Lëvizja pa viza drejt Shqipërisë – 9 vende u shtohen listës së shtetasve që hyjnë me pasaportë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.