Holanda, testi i parë për BE – Në garë ekstremi i djathtë, tregjet të kujdesshme

Holandezët i drejtohen kutive të votimit në atë që është testi i parë real për shtrirjen e populizmit në Europë.
Në garë është kryeministri aktual, Mark Rutte dhe rivali i tij, Geert Wilders i ekstremit të djathtë. Ky i fundit kërkon daljen e Holandës nga Bashkimi Europian, ndalimin e emigrantëve e kryesisht dëbimin e muslimanëve.
Por, sondazhet e fundit tregonin se gjasat e tij për të pasur sukses janë tepër të vogla.
Holanda që është ndër 6 vendet themeluese të Bashkimit Europian do të jetë kështu testi i parë i vërtetë për forcën e populistëve në kontinent. Zgjedhjet në Holandë vlerësohen si një barometër i zgjedhjeve të ardhshme në Francë dhe Gjermani, të cilat janë edhe dy ekonomitë më të mëdha të rajonit.
12.9 milionë njerëz në Holandë do të kenë të drejtë të votojnë deri në orën 9 të mbrëmjes, kur priten edhe rezultatet e para.
Të dhënat paraprake flasin për një pjesëmarrje më të gjerë në votime sesa zgjedhjet e vitit 2012. Ndërkohë tregjet po tregohen të kujdesshme.
Zgjedhjet në Holandë nuk kanë gjeneruar asnjë efekt në tregjet e kapitalit dhe ato të këmbimit valutor.
Monedha e përbashkët europiane ka humbur lehtë terren kundrejt dollarit, por jo si pasojë e Holandës, por si pasojë e pritshmërive për një ndërhyje të Rezervës Federale në normat e interesit gjatë javës, që përkthehet në një forcim të dollarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.