Indeksi i Dhomës Amerikane – Përmirësohet klima, taksat e larta mbeten shqetësim

Indeksi i Dhomës Amerikane për klimën e biznesit është rritur në 43.78 pikë për këtë vit, nga 37.94 që ishte vitin e kaluar. Treguesit, që kanë pasur përmirësimin më të madh, janë marrëdhëniet me autoritetet fiskale dhe ai i klimës së biznesit, që janë rritur përkatësisht me 12.3 dhe 11.2 pikë.
Në total, të gjithë treguesit kanë ardhur në përmirësim, me përjashtim të gjetjes së stafit lokal, që ka shënuar një rënie të lehtë. Niveli i lartë i taksave vazhdon të jetë shqetësimi kryesor, me 30.45 pikë, me një përmirësim të lehtë nga viti i kaluar.
Shqetësimi i dytë më i madh lidhet me burokracinë e qeverisë, tregues që një vit më parë ishte në vendin e tretë. Ambasadori Amerikan, Donald Lu, i pranishëm në prezantimin e indeksit të biznesit është shprehur se e vërteta është e vështirë të dëgjohet, por për Shqipërinë do të vijnë ditë të mira.
Lu i referohej reformës në drejtësi, e cila do të krijonte më shumë mundësi për bizneset dhe investimet kombëtare në vend.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, është ndalur në rëndësinë lokale dhe kombëtare që kanë anketime të tilla, për të bërë dhe ndryshimet e duhura për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Një tjetër pikë e rëndësishme në anketim është edhe ajo e marrëdhënieve me autoritet tatimore. Nëse bëmë një krahasim me një vit më parë, përqindja e atyre që mendojnë se marrëdhëniet me autoritetet tatimore janë të këqija, ose shumë të këqija është ulur ndjeshëm, në 14%, ndërsa ata që pohojnë se marrëdhëniet janë të mira janë rritur në 52.7.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.