Inflacioni në Gjermani arrin në nivelin e viteve 1970!

Në maj çmimet e konsumit në Gjermani janë rritur aq shumë sa nga fillimi i viteve 1970.
Në muajin maj të këtij viti mallrat dhe shërbimet në Gjermani kushtonin mesatarisht 7.9 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas njoftimeve të Entit Federal të Statistikave në muajin prill niveli i inflacionit ishte ende 7.4 %.
Kaq i lartë inflacioni kishte qenë për herë të fundit në dimrin e vitit 1973/1974, kur çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si rezultat i krizës së parë të naftës.
“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sidomos çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm dhe kanë një ndikim të rëndësishëm ndaj shkallës së lartë të inflacionit”, thonë statisticienët.
Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar çmimet e energjisë në maj u rritën me 38.3 %. Po ashtu edhe çmimet e ushqimeve u rritën me rreth 11.1 %.
Përveç kësaj për shkak të pandemisë ka pengesa edhe në dërgimin e mallrave për shkak të ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, gjë që i bën shumë mallra të tjera më të shtrenjta. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.