Iniciativa “Belt and Road” – FMN: Do kontribuojë në axhendën e OKB për zhvillimin
Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur se iniciativa “Belt and Road” do të kontribuojë në axhendën e 2030-ës të Kombeve të Bashkuara për një Zhvillim të Qëndrueshëm, nëse realizon objektivat e infrastrukturës dhe investimeve. Zhang Tao, zv/drejtori i Fondit tha se iniciativa do të sjellë përfitime për njerëzit në të gjithë botën.
“Një nga pjesët kryesore të kësaj iniciative është zhvillimi i infrastrukturës, që përshtatet pjesërisht me axhendën e vitit 2030 të Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm.”
Ai paralajmëroi gjithashtu për politikat makroekonomike të vendeve që zhvillojnë projektet, veçanërisht qëndrueshmërinë e borxhit. Kjo do të ndihmojë për arritjen e rezultateve të plota të kësaj iniciative.
“Nëse projektet zbatohen saktë, do të uleshin dyshimet mbi iniciativën Belt and Road, ç’ka do të shtojë mbështetjen për të.”
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, bashkëpunimi ndërkombëtar brenda rrjetit të kësaj iniciative do të shtojë zhvillimin ekonomik botëror me të paktën 0.1% në vitin 2019. Një total prej 152 vendesh dhe organizatash ndërkombëtare kanë nënshkruar dokumentet e bashkëpunimit me Kinën mbi iniciativën në 6 vitet e fundit. Kjo iniciativë synon ndërtimin e një rrjeti të infrastrukturës dhe tregtisë që lidh Azinë me Europën dhe Afrikën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.