Interesat e bonove – Sërish në rritje, pavarësisht sinjaleve të BSH

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan të martën me një interes mesatar të ponderuar prej 2.54%, nga 2.45% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. E njëjta gjë ndodhi edhe me bonot 6 mujore, ku interesi arriti në 2.04%, nga 1.82% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Kërkesa e tregut për bono rezultoi e mjaftueshme, me një total prej 12.6 miliardë lekësh, nga 11.7 miliardë lekë të shpallura për financim nga qeveria. Pavarësisht nga kjo, korrektimi në rritje i interesave vijoi. E njëjta gjë ndodhi të hënën me ankandet e obligacioneve 2 vjeçare, ku kuponi u rrit më tej në 2.99%.
Tregu primar i letrave të borxhit qeveritar po ndjek një trajektore graduale të rritjes së interesave, por, sidoqoftë rritja e kurbës deri tani paraqitet e lehtë dhe pa goditje shqetësuese.
Gjallërimi i kërkesës dhe shëndoshja e sistemit bankar po e përmirëson kreditimin, duke zhvendosur më shumë fonde në financimin e sektorit privat. Rrjedhimisht, investitorët po kërkojnë një çmim më të lartë për të financuar borxhin e qeverisë.
Vetë qeveria shqiptare pret në horizont një rritje të interesave të borxhit, projeksion që është shprehur edhe në relacionin e projektbuxhetit e vitit 2018. Sipas projektbuxhetit, interesat e borxhit të brendshëm për vitin e ardhshëm pritet të arrijnë në 25 miliardë lekë, në rritje me tre miliardë lekë krahasuar me këtë vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.