“Irma” & “Harvey” përballë FED – Reduktojnë mundësinë e një rritjeje të normës së interesit këtë vit

Dëmet ekonomike të shkaktuara nga goditjet e uraganeve në Shtetet e Bashkuara, mund të ndërpresin rritjen e normës bazë të interesit nga Rezerva Federale për këtë vit. Uragani Irma po humbet fuqi në Florida, megjithatë, Goldman Sachs dhe Merill Lynch kanë ulur projeksionet për rritjen ekonomike me 1% dhe 0.4% në mënyrë respektive, duke futur edhe ndikimin e Harvey në modelin e tyre.
Zyrtarët e Rezervës Federale kanë folur për një rritje tjetër të normës së interesit këtë vit, pas dy ndërhyrjeve në Mars dhe Qershor. Megjithatë, të dhënat e dobëta mbi inflacionin kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, duke bërë që pjesëmarrësit e tregjeve të shtyjnë pritshmëritë për vitin tjetër. Presidenti i Rezervës Federale në New York, William Dudley, tha kur Irma po i drejtohet Floridës, se 2 uraganet mund të ndikojnë në afatin kohor të tkurrjes monetare.
Megjithatë, ai shtoi se përpjekjet për të rindërtuar dëmet e stuhive do të japin një nxitje të aktivitetit ekonomik në afat-gjatë. Përtej uraganeve, ka edhe faktorë të tjerë që pengojnë ciklin tkurrës monetar të Rezervës Federale që nisi në Dhjetor të vitit 2015. Sipas analistëve, një faktor është paqartësia mbi kryetarin e radhës së sistemit bankar qendror të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që mandati i Janet Yellen mbaron në muajin Shkurt 2018.
Ndërkohë që pjesëmarrësit e tregjeve vazhdojnë të spekulojnë mbi lëvizjen e ardhshme të FED, diçka e sigurt është se kompanitë e sigurimeve do të marrin një goditje në të ardhurat e tyre, tregojnë ekspertët. Sipas tyre, industria e sigurimeve pritet të humbasë rreth 40 miliardë euro nga dëmet e uraganit Irma dhe 20 miliardë dollarë nga Harvey.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.