Impakti i “Rrugës Ballkanike të Mëndafshit” – Të enjten prezantohet raporti i pavarur mbi sfidat që sjell prania e një aktori të ri

Iniciativa “Një brez, një rrugë” e Kinës, e lançuar nga Presidenti Xi Jinping në vitin 2013, është një strategji madhore Euroaziatike që synon të zgjerojë dhe të vendosë rrjete të reja infrastrukture tokësore e detare nga Kina duke lidhur Azinë, Afrikën dhe Europën.
Parë nga një këndvështrim europian, format kineze të pushtetit janë duke u shfaqur që tani në atë çka është emërtuar si “Rruga Ballkanike e Mëndafshit”, një rrugë që vjen nga Pekini drejt Athinës dhe lidhet me Beogradin, Sarajevën, Shkupin, Budapestin, Tiranën dhe kryeqytete të tjera.
Në kuadër të procesit të ndërveprimit me aktorin e ri madhor që është shfaqur në rajon, BERZH ka kërkuar një raport të pavarur mbi zhvillimin e kësaj rruge. Shkruar nga Jens Bastian, ish-krye ekonomist i Agjencisë Europiane për Rindërtim dhe anëtar i Task Forcës së BE për Greqinë, raporti do të publikohet ditën e enjte 14 Shtator.
Raporti do të prezantojë progresin e iniciativës në shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë në zonë e Europës juglindore.
Deri më tani ka patur shumë zhvillime gjeopolitike që janë mirëpritur nga shumë vende në rajon. Dr. Bastian argumenton se investimet kineze në BE dhe vendet jo në BE krijojnë terren për blerje dhe inovacione në infrastrukturë në një shkallë të paprecedentë.
Me blerjen e porteve, hapjen e degëve të bankave kineze ose financimin për ndërtimin e urave, autostradave dhe impianteve të energjisë, po krijohet një rrjet i infrastrukturës së transportit dhe logjistikës.
Megjithëse investimet janë të dëshiruara nga shumë vende, që nuk janë destinacione parësore për investime ose përballen me limitime në financimin e sektorit privat, janë rritur shqetësimet mes kritikëve për varësinë e borxhit nga huadhënësit kinezë.
Raporti do të hedhë dritë mbi këto shqetësime, duke siguruar se vendet e Ballkanit, sado të mirëpritura që janë investimet kineze, mbeten të ankoruara fortësisht në Europë.
“Të ndarit njohuritë rajonale të BERZH me burimet financiare dhe vendosmërinë për investime të kompanive kineze mund të jetë një kombinim “win-win” për të dyja palët, sepse Iniciativa Brezi dhe Rruga ka potencialin për të ndihmuar në transformimin e Ballkanit Perëndimor”, përfundo raporti që do të zbulohet më 14 Shtator.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.