Itali, shifra alarmante – 4.8 milionë individë jetojnë në varfëri absolute
Instituti i statistikave në Itali ka publikuar disa të dhëna mjaft alarmante. Rezulton se, në vend ka rreth 1 milionë e 619 mijë familje që jetojnë në varfëri absolute, ose 4 milionë e 742 mijë individë.
Ajo që është më shqetësuese është rritja e kësaj norme për familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë të mitur.
Për këtë kategori, norma është ngjitur në 26.8% gjatë 2016, nga 18.3% që ishte në 2015. Flitet për thuajse 1 milionë individë që jetojnë në kushte të tilla.
Edhe mes fëmijëve norma është rritur ndjeshëm, nga 10.9%, në 12.5%, në 1 milionë e 292 mijë.
Edukimi dhe aktiviteti profesional i individëve është thelbësor në këtë drejtim.
Për familjet që kanë kryefamiljar një punëtor, norma është dy herë më e lartë se mesatarja. Për familjet ku kryefamiljari është drejtues, nëpunës apo pensionist, norma është shumë herë më e vogël se mesatarja.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.