Italia në verë ndryshon rregullat e qarkullimit – Heqje patente për ata që përdorin celularin
Qeveria italiane po konsideron disa rregulla të reja në kodin e qarkullimit, të cilat mund të hyjnë në fuqi këtë verë.
Tre pikat kryesore përfshijnë heqjen e menjëhershme të patentës për ata që përdorin celularin gjatë kohës që drejtojnë mjetin; ndalimin e parakalimit të çiklistëve nëse hapësira anësore është më pak se një metër e gjysmë; dhe nisjen e kontrolleve automatike për ata që qarkullojnë pa siguracionet e automjetit.
Qeveria duket e vendosur për të kryer këto ndryshime që rrisin sigurinë në rrugë, pasi kjo temë është bërë e nxehtë kohët e fundit pas disa aksidenteve me çiklistë, ku një garues i famshëm humbi jetën.
Heqja e patentës për ata që shkruajnë në celular apo flasin pa kufje ekziston në Itali, por bëhet vetëm kur shkelja është e përsëritur. Këto ndryshime, të cilët janë kërkuar prej kohësh nga Policia Rrugore, bëjnë që patenta të hiqet në çast, ndërsa masa të shtuara janë gjobat (të cilat nuk përfitojnë zbritje prej 30% nëse e paguan brenda 5 ditësh) dhe konfiskimi i celularit.
Është ende për t’u përcaktuar nëse gjoba do të mbetet në vlerën aktuale 161 euro, numri i pikëve që hiqen nga patenta, aktualisht 5, dhe periudha kohore që do të pezullohet patenta.
Masa tjetër, ajo e distancës së parakalimit për biçikletat, është bërë shkak për debate të vazhdueshme, dhe shoferët thonë se nuk mund të dënohen, sepse shumë rrugë në vend nuk e ofrojnë këtë gjerësi, ndërsa vetë distanca është shumë e vështirë për t’u matur në rast aksidenti.
Sa i takon sistemit automatik për siguracionet, ka pesë vjet që pritet të aktivizohet, por shtyhet prej komplikimeve si: manaxhimi i të dhënave në kohë reale dhe kompleksiteti i sistemit të ndëshkimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.