Italia trazon tregjet – Perspektiva e zgjedhjeve të reja sjell rënien e euros dhe aksioneve

Situata politike në Itali po trazon tregjet financiarë, ndërkohë që investitorët po shqetësohen mbi rolin e vendit në Bashkimin Europian dhe Eurozonë.
Kriza e fundit politike në Romë vjen gjatë një kohe të shtimit të tensioneve mes populistëve që fituan në zgjedhjet e muajit Mars dhe mbështetësit e Bashkimit Europian.
Ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë ka dështuar të formojë një Qeveri që prej votimit të muajit Mars, ndërkohë që grupet populiste braktisën përpjekjet e tyre për të formuar një koalicion gjatë fundjavës, gjatë një përplasjeje me presidentin.
Sergio Matarella refuzoi nominimin e kandidatit euroskeptik, Paolo Savona, për postin e Ministrit të Ekonomisë. Ai e çoi vendin drejt zgjedhjeve të tjera duke caktuar ish zyrtarin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli si Kryeministër të përkohshëm.
Cottarelli, i cili fitoi popullaritet për uljen e shpenzimeve publike në Itali, është ngarkuar tashmë me planifikimin e zgjedhjeve dhe kalimin e buxhetit. Perspektiva e zgjedhjeve të tjera në Itali gjatë Shtatorit, ka goditur tregjet europian në nisje të javës.
Euro ra në nivelin më të ulët në 6 muaj, ndërsa interesat e titujve të borxhit të Italisë u rritën ndjeshëm, duke rritur kostot e huamarrjes për vendin.
Yield-i i titujve 2-vjeçarë u rrit me 100 pikë bazë në 1.91%, ndërsa për titujt 10-vjeçar, shënoi 2.91%. Indeksi i titujve të kapitalit në Itali, FTSE MIB, ra me 3% në nisje të tregtisë.
Ndër performuesit më të dobët ishin bankat, me Intesa Sanpaolo dhe Ubi Banca që ranë me më shumë se 3.5% në vlerë tregu.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.