“Jo faturime energjie me vlerë referuese” – ERE shfuqizon vendimin e janarit, fatura do të lëshohet pas leximit të matësit
Faturimi i energjisë do të bëhet mbi bazën e konsumit mujor dhe jo mbi vlerat referuese. Enti Rregullator i Energjisë ka shfuqizuar vendimin e muajit janar të këtij viti, që kërkonte faturimin përmes vlerave zëvendësuese të konsumit të energjisë elektrike deri në muajin qershor 2021. Kjo nënkuptonte, që vlera e faturës do të ishte e njëjtë me muajin e një viti më parë, pavarësisht nivelit të konsumit të energjisë elektrike.
Ndërkohë që, në muajin pasardhës, faturimi do të kryhej mbi bazën e leximit të matësit dhe korrigjimin e faturës së muajit paraardhës. Praktikisht, kjo procedurë, e cila u zbatua për herë të parë gjatë vitit të kaluar, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, plotësonte kërkesat disa vjeçare të Kuvendit, për leximin 3-mujor të matësve, që sipas deklaratave publike të përfaqësuesve të OSHEE-së do të niste pilotimin qysh në tetor të vitit 2019. Leximi 3-mujor i matësve do të ulte kostot për kompaninë e shpërndarjes dhe nga ana tjetër do të kërkonte reduktim të personelit për leximin e matësve.
Ndërkaq, në vendimin e fundit ERE argumenton se shkak për anulimin e kësaj praktike, janë pamundësitë teknike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal për të gjeneruar të dhëna në kohë reale nga sistemi i përdorur për këtë qëllim. Gjithashtu, sipas ERE-s azhornimi i sistemit elektronik të të dhënave historike do të kërkonte një kohë më të gjatë se vetë afatet e shtrirjes së efekteve të vendimit të muajit janar, që përfundojnë në muajin Qershor 2021.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.